Takim pune me Ambasadorin e Republikës së Polonisë

Me datë 9 prill 2026 në ambjentet e Prefekturës së Qarkut Lezhë, u zhvillua një vizitë zyrtare nga një delegacion i Republikës së Polonisë, i kryesuar nga Ambasadori, Shkëlqesia e Tij z. Vojciech Unolt, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Shërbimit Zjarrfikës polak, ndër ta edhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Lt. Col. Tomasz Czyż.

Delegacioni shoqërohej nga Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së, Drejtues i Parë Zjarrfikës Arben Cara dhe u prit nga Prefekti i Qarkut Lezhë, z. Taulant Malshi.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, të cilat kanë marrë një zhvillim të ri pas tërmetit të vitit 2019. U theksua se është në proces hartimi një marrëveshje e re bashkëpunimi, e fokusuar kryesisht në trajnimet e personelit të shërbimit zjarrfikës.

Pala polake evidentoi nevojën për përmirësimin e pajisjeve dhe mjeteve zjarrfikëse, ndërsa shprehu gatishmërinë për të mbështetur projekte konkrete përmes fondeve të Bashkimit Europian, me qëllim forcimin e kapaciteteve në këtë sektor.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së paraqiti situatën aktuale në Qarkun Lezhë, duke theksuar mungesën e infrastrukturës bashkëkohore dhe nevojën për ndërhyrje ligjore në funksion të rritjes së eficiencës së shërbimit.

Takimi nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencave për përmirësimin e menaxhimit të emergjencave dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.