Mbledhja e Tryezës Teknike Antitrafikim të Qarkut Lezhë

Më datë 22.05.2026, në ambientet e institucionit të Prefektit të Qarkut Lezhë, nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm, z. Ilir Ndoka, u zhvillua mbledhja e Tryezës Teknike Antitrafikim (TT).

Gjatë takimit u analizua puna e kryer nga anëtarët e Tryezës në zbatim të Planit të Veprimit për Luftën kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për periudhën janar–mars 2026, si dhe u diskutuan problematikat aktuale të evidentuara.

Në vijim, u shqyrtuan tre raste të dyshuara si viktima të mundshme të trafikimit, të referuara nga bashkitë Mirditë dhe Kurbin, si dhe nga Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, të cilat vijojnë të monitorohen nga strukturat përgjegjëse.

Drejtuesi i Tryezës la detyrë që institucionet përkatëse të vijojnë monitorimin e rasteve dhe të marrin të gjitha masat e nevojshme për parandalimin dhe minimizimin e fenomenit. Gjithashtu, u kërkua respektimi i plotë i VKM nr. 772, datë 19.12.2025 “Për miratimin e Procedurave Standarde të Veprimit për mbrojtjen e viktimave dhe viktimave të mundshme të trafikimit”, gjatë funksionimit të grupeve ndërinstitucionale për shqyrtimin e rasteve.