MBLEDHJA E KOMITETIT RAJONAL ANTITRAFIKIM NË QARKUN LEZHË

Nën drejtimin e Prefektit të Qarkut Lezhë, në cilësinë e Kryetarit të Komitetit Rajonal Antitrafikim (KRAT), u zhvillua mbledhja e radhës e këtij komiteti, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme: znj. Ami Çarçani, Drejtore e Përgjithshëme në Drejtorinë e Përgjithshme të Politikave të Sigurisë Publike dhe Migracionit; z. Gjergj Prabibaj, Drejtor në Drejtorinë e Politikave të Antitrafikut; z. Ardit Gabili, Drejtor në Drejtorinë e Politikave Kundër Krimit të Organizuar, Migracionit dhe Azilit; si dhe të Kryetarit të Këshillit të Qarkut Lezhë, Zv/Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe drejtuesve e përfaqësuesve të bashkive dhe institucioneve rajonale.

Gjatë takimit u diskutuan çështje që lidhen me parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore, me fokus të veçantë identifikimin dhe mbrojtjen e viktimave të mundshme të trafikimit, si dhe forcimin e mekanizmave të referimit dhe mbështetjes.

Në diskutime u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional, si një element kyç për parandalimin e trafikimit, adresimin e rasteve në kohë dhe mbrojtjen efektive të personave në rrezik. Po ashtu, u trajtuan aspektet që lidhen me parandalimin e shfrytëzimit për qëllime pune dhe monitorimin e punësimit të shtetasve të huaj gjatë sezonit turistik veror.

Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë, shkëmbimit në kohë të informacionit dhe veprimit të koordinuar institucional mund të forcohen mekanizmat e parandalimit dhe mbrojtjes së viktimave të mundëshme të trafikimit.