Më 19.11.2026, në mjediset e Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM) Lezhë, u zhvillua mbledhja e Komitetit të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura Mjedisore të Qarkut Lezhë.
Në cilësinë e kryetarit të Komitetit, Prefekti i Qarkut Lezhë, z. Taulant Malshi, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se mbledhja kishte për qëllim analizimin e ecurisë së punës së Administratës së Zonave të Mbrojtura Lezhë, vlerësimin e arritjeve dhe sfidave të hasura gjatë kësaj periudhe, si dhe evidentimin e masave të nevojshme për rritjen e efikasitetit në menaxhimin e zonave të mbrojtura. Qarku i Lezhës ka privilegjin të zotërojë disa nga ekosistemet më të rëndësishme në nivel kombëtar, me vlera të spikatura të biodiversitetit, peizazhit natyror dhe trashëgimisë ekologjike, të cilat kërkojnë angazhim të vazhdueshëm për ruajtjen dhe zhvillimin e tyre të qëndrueshëm.
Përfaqësuesja e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, znj. Bujana Xhindoli, në fjalën e saj vuri në dukje mbështetjen e vazhdueshme që ky institucion ofron për ADZM Lezhë në përmbushjen e objektivave dhe realizimin e aktiviteteve për monitorimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Ajo theksoi se këto zona përbëjnë një pasuri të rëndësishme jo vetëm për Qarkun e Lezhës, por edhe për vendin në tërësi, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Gjithashtu, u nënvizua nevoja për një angazhim më të madh të të gjitha institucioneve përgjegjëse për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme dhe mbrojtjen e këtij ekosistemi të çmuar.
Drejtori i ADZM Lezhë, z. Leonard Përjaku, paraqiti një ekspoze të veprimtarisë së institucionit, duke evidentuar punën e realizuar në menaxhimin e zonave të mbrojtura, rezultatet e arritura, si dhe objektivat dhe prioritetet për periudhën në vijim.
Një rëndësi të veçantë gjatë mbledhjes pati prezantimi i rezultateve të punës për hartimin e Planit të Menaxhimit të Zonës së Mbrojtur “Kunë–Vain–Patok–Fushë Kuqe–Ishëm”. Ky dokument strategjik përfaqëson një instrument të rëndësishëm për orientimin e politikave dhe ndërhyrjeve konkrete në ruajtjen e habitateve natyrore, administrimin e burimeve natyrore, zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me komunitetet lokale.
Gjatë diskutimeve, anëtarët e Komitetit trajtuan një sërë problematikash aktuale dhe paraqitën mendime, sugjerime dhe rekomandime konkrete, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe përmbushjen e standardeve kombëtare e ndërkombëtare në fushën e ruajtjes së natyrës.







