Takim pune për hartimin e Strategjisë së Turizmit për Bashkinë Lezhë

Sot, në mjediset e Institucionit të Prefektit të Qarkut Lezhë, u zhvillua një takim pune me përfaqësues të IDRA Research & Consulting, të kontraktuar nga UNDP për hartimin e Strategjisë së Turizmit dhe Vlerësimit Strategjik Mjedisor për Bashkinë Lezhë, në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.

Në takim morën pjesë përfaqësues të AdZM Lezhë, DRIKMT Lezhë, ARM Shkodër-Lezhë-Kukës dhe Bashkisë Lezhë.

Përfaqësuesit e IDRA Research & Consulting, znj. Stela Daiu, z. Eduardo Martinez dhe z. Gjergji Selfo, prezantuan synimet dhe objektivat e strategjisë, e cila do të mbështetet në analizën e situatës aktuale të turizmit, përcaktimin e vizionit afatgjatë, objektivave strategjikë dhe ndërhyrjeve prioritare për zhvillimin e turizmit në Bashkinë Lezhë.

Prefekti i Qarkut, z. Taulant Malshi, vlerësoi rëndësinë e kësaj nisme për zhvillimin e turizmit në Lezhë dhe në rajon, evidentoi arritjet dhe problematikat aktuale, si dhe garantoi mbështetjen e plotë institucionale për koordinimin dhe bashkërendimin e institucioneve rajonale në procesin e hartimit të strategjisë.

Në përfundim, u shkëmbyen ide dhe sugjerime mbi situatën në fushën e turizmit dhe mjedisit, si dhe u dakordësua vijimi i bashkëpunimit për shkëmbimin e informacioneve dhe të dhënave të nevojshme për projektin.