Sot, më datë 31.03.2026 në drejtimin e Prefektit të Qarkut Lezhë z. Taulant Malshi u zhvillua takimi i parë i Task-Forcës Vendore Anti-Kanabis për vitin 2026.
Në këtë takim morën pjesë drejtor i Drejtorisë së Politikave Kundër Krimit të Organizuar, Migracionit dhe Azilit në Ministrinë e Punëve të Brendshme z. Ardit Gabili, drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, drejtues të bashkive të qarkut, të institucioneve vendore/rajonale dhe të strukturave të mbrojtjes, që kanë detyrime ligjore në luftën kundër kultivimit e trafikimit të lëndëve narkotike.
Në fjalën e tij Prefekti vlerësoi punën e deritanishme të bërë nga anëtarët e Task –Forcës Antikanabis dhe vuri theksin në disa aspekte të rëndësishme si: rritjen e vigjilencës dhe reagimit nga ana e strukturave përgjegjëse, kryerjen e kontrolleve, analizave dhe raportimeve periodike, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, kryerjen e aktiviteteteve ndërgjegjësuese me qëllim parandalimin e rasteve të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Në diskutimet e tyre, përfaqësuesi i MPB, si dhe anëtarët e Task – Forcës theksuan rëndësinë e marrjes së masave nga të gjithë institucionet, hartimin e një plan- veprimi me masa konkrete, si dhe strategji të reja duke shtuar numrin e grupeve të punës, përdorimin e teknologjisë me synim rritjen e efikasitetit të punës në këtë drejtim, si dhe nevojën për një bashkëpunim ndërinstitucional më efikas.







